Dy policë, një mësuese dhe një zjarrfikëse kapen në një skemë të dyshuar të ryshfetit
Kallëzim penal ndaj katër personave për skemë të paligjshme me dokumente personale

Prokuroria Themelore Publike për NKOK ka konfirmuar se dy zyrtarët e policisë dyshohet se kanë marrë shpërblim për ndikim të paligjshëm dhe për pranim ryshfeti. Ndërkohë, mësuesja dhe zjarrfikësja akuzohen për marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm.
Sipas Ministrisë së Brendshme, të pandehurit, me një marrëveshje paraprake, kanë organizuar dhe zbatuar procedurat për lëshimin e dokumenteve personale. Mësuesja dhe zjarrfikësja kanë kontaktuar qytetarë që kërkonin përgatitjen e dokumenteve, duke i mbledhur të dhënat personale në formën e fotografive dhe i kanë dërguar te një nga zyrtarët policorë për përpunim.
Njëri nga zyrtarët policorë ka ndërmjetësuar dhe ka ndihmuar qytetarët për të nisur procedurat, duke inkurajuar zyrtarin tjetër të kryente veprimet e fotografimit dhe pranimit të kërkesave, që janë pjesë e detyrave të tij zyrtare.
Veprimet janë kryer në bazë të një marrëveshjeje paraprake për kompensim monetar, me role dhe metoda të përcaktuara qartë, duke krijuar një kanal joformal që shfrytëzohej për të përshpejtuar lëshimin e dokumenteve, me qëllim përfitimin e paligjshëm. Ministria e Brendshme thekson se kjo ka shkelur parimin e qasjes së barabartë të qytetarëve në shërbimet publike.
Kallëzimi penal është ngritur ndaj:
M.S., zyrtar policie në SPB Shkup, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës dhe pranim ryshfeti;
P.P., zyrtar policie në Njësinë e Policisë Ndërhyrëse, për marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm dhe pranim ryshfeti;
V.R., mësuese në një shkollë të mesme në Shkup, për marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm;
A.S., zjarrfikëse në Shkup, për marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm.
Hetimet vijojnë dhe Prokuroria kompetente pritet të zbulojë më shumë detaje rreth kësaj skeme të organizuar, e cila ka për qëllim përfitime materiale në mënyrë të paligjshme.